Komuna e Lipjanit po vazhdon mbajtjen e dëgjimeve publike në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitet 2027–2029, me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve dhe projekteve që do të ndikojnë në zhvillimin e vendbanimeve të tyre.
Gjatë takimeve Drejtori për Buxhet dhe Financa z. Latif Ramadani, prezantoi në mënyrë të përmbledhur strukturën e buxhetit komunal dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë fazë. Ai bëri të ditur se propozimet e paraqitura do të ndihmojnë në hartimin e një buxheti që pasqyron nevojat reale dhe kërkesat e banorëve.
Në takimet e organizuara në Grackë të Vjetër, Dobrajë të Madhe dhe Shalë, banorët paraqitën kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektet dhe investimet që i konsiderojnë të rëndësishme për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Përmes këtyre konsultimeve publike Komuna e Lipjanit, synon të sigurojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e prioriteteve buxhetore për vitet në vijim.