Mehreme Goliqi e lindur më 18.07.2003 në Lipjan, është nënkryetare e dytë për komunitete në Komunën e Lipjanit që nga 24.04.2026.
Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Psikologji të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, në periudhën 2022–2025. Përveç kësaj Mehremja, ka ndjekur një studim intensiv për Media dhe Komunikim Masiv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Universitetin e Arizonës, ku pas përfundimit është certifikuar në këtë fushë. Ajo është e vetmja psikologe në Kosovë nga komuniteti ashkali.
Mehremja është autore e katër librave: Arsimtarja Meritë, Nëna, Fuqia e fjalës dhe Liria ka vepra, ku librin e parë e ka botuar në moshën 16-vjeçare.
Mehremja merret me qytetari aktive që nga një moshë shumë e re. Fillimisht ka qenë e angazhuar në organizata lokale, më pas në nivel qendror dhe ka depërtuar edhe në organizata ndërkombëtare. Ajo ka fituar disa çmime dhe dhjetëra mirënjohje në fusha të ndryshme. Disa nga çmimet janë: “Kurora e Suksesit” nga Zyra e Kryeministrit (2022), “Harmony Hero Award” nga RYCO dhe Ambasada Gjermane, mirënjohje nga Kryetari i Komunës së Lipjanit, etj.
Ajo ka përfaqësuar komunitetin e saj brenda dhe jashtë vendit dhe tani pritet të japë kontributin e saj si përfaqësuese kryesore e komuniteteve në Lipjan.