Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, sot ka marrë pjesë në takimin përmbyllës të projektit “Farat e Fuqizimit Gratë në Bujqësi”, projekt i mbështetur nga UNMIK dhe i implementuar nga Fondacioni Jahjaga, ku mori pjesë edhe ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.
Me këtë rast nënkryetari Bytyqi, vlerësoi angazhimin e grave në sektorin e bujqësisë dhe rëndësinë e mbështetjes së tyre në zhvillimin ekonomik.
“Kur kemi gra kaq të zonja, sigurisht që edhe ekonomia do të ketë zhvillim, angazhimi juaj në këtë sektor por edhe në sektorë të tjerë, do të ndikojë drejtpërdrejt në pavarësimin tuaj ekonomik. Andaj dua ta falënderoj ish-Presidenten Jahjaga për këtë projekt, si dhe UNMIK-un, me të cilin kemi bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë projektet për rininë dhe iniciativa të tjera që kanë mbështetur komunën tonë”, tha nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Projekti ka përfshirë shtatë gra nga Komuna e Lipjanit, të cilat kanë marrë pjesë në aktivitete dhe iniciativa të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe fuqizimit ekonomik. Gjatë projektit, përfitueset janë trajnuar në teori dhe praktikë, përpunim ushqimor dhe rrjetëzim, si dhe kanë përfituar pajisje për fillimin e aktiviteteve të tyre.
Ndërsa ish-Presidentja znj. Atifete Jahjaga, falënderoi Komunën e Lipjanit për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projektit, duke theksuar se komuna ka ofruar hapësirat dhe mbështetjen e nevojshme gjatë gjithë fazës së realizimit, nga organizimi i trajnimeve deri te finalizimi i projektit me shpërndarjen e pajisjeve për gratë përfituese, të cilat do t’i ndihmojnë ato në zhvillimin e aktiviteteve të tyre në sektorin e bujqësisë.
Gjatë aktivitetit u bë edhe shpërndarja e një pjese të pajisjeve për përfituese, me qëllim mbështetjen e tyre në zhvillimin e aktiviteteve në sektorin e bujqësisë dhe fuqizimin ekonomik.
Projekti financohet nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe implementohet nga Fondacioni Jahjaga, me bashkëfinancim dhe mbështetje nga Komuna e Lipjanit.