Sot më datë 11.01.2026, u mbajt mbledhja e Shtabit Emergjent, ku Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, u takua me anëtarët e shtabit për të diskutuar hapat e mëtejmë pas situatës së krijuar nga vërshimet e fundit.
Vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën publike, si dhe në ekonomitë familjare. Komuna njofton se procesi mësimor do të fillojë sipas planifikimit zyrtar, me përjashtim të nxënësve të shkollës “Ismail Luma”, të cilët do ta vijojnë mësimin në shkollën “Vëllezërit Frashëri” deri në një afat të pacaktuar. Në shkollat e tjera, mësimi do të zhvillohet normalisht.
Gjatë ditës së sotme ka filluar intervenimi për rregullimin e urës në Smallushë, ndërsa janë duke u përgatitur raportet për dëmet e shkaktuara në shkolla dhe objekte publike.
Në ditët në vijim, komisionet përkatëse do të vazhdojnë me evidentimin e dëmeve në ekonomitë familjare, si dhe të dëmeve në të mbjellat.
Situata ka filluar të qetësohet, megjithatë lumi Sitnica ende ndodhet jashtë shtratit të tij, andaj organet komunale mbeten në gatishmëri dhe po e përcjellin situatën nga afër.