Në Bibliotekën e Qytetit në Lipjan u organizua një aktivitet sensibilizues në kuadër të Muajit të Mundësive të Barabarta, me fokus në promovimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta dhe nxitjen e përfshirjes së tyre aktive në jetën shoqërore dhe institucionale.
Gjatë aktivitetit nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët dhe bëri të ditur se Komuna po punon për krijimin e hapësirave dhe zyrave për organizatat që përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta, me qëllim të përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-drejtorit të HANDIKOS-it në Lipjan Afrim Mena.
Aktiviteti u organizua nga OJQ-të Handikos dhe OMPAK, me mbështetjen e Komunës së Lipjanit, organizimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në promovimin e mundësive të barabarta dhe krijimin e kushteve për pjesëmarrjen aktive të personave me nevoja të veçanta në shoqëri.
















