Sot në Bibliotekën e Qytetit në Lipjan, u zhvillua një aktivitet i veçantë në kuadër të Muajit të Mundësive të Barabarta, i cili synon të rrisë vetëdijen për personat me nevoja të veçanta dhe të nxisë pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën sociale dhe institucionale.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti dhe potencoi se Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe për të krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse. Ky aktivitet është një dëshmi e qartë se respekti, mbështetja dhe përfshirja nuk janë vetëm fjalë, por vlera që ne i promovojmë çdo ditë.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Komunës së Lipjanit dhe organizimin e përbashkët të OJQ-ve Handikos dhe OMPAK, duke dëshmuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm për integrimin dhe fuqizimin e personave me nevoja të veçanta.