Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të z. Naim Ymeri, veprimtar i çështjes kombëtare dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E nderuara familje Ymeri,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të të ndjerit Naim Ymeri, veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, pjesëtar i UÇK-së dhe një nga figurat aktive në jetën publike të vendit tonë.
Në emrin tim personal dhe të Komunës së Lipjanit, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të dashur, i cili gjatë gjithë jetës së tij punoi me përkushtim për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Kontributi i tij i gjatë si aktivist i palëkundur dhe më pas si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë sonë të lavdishme.
Naimi do të kujtohet me respekt të thellë si një njeri me ideale të larta dhe si një qytetar që i dha kuptim e vlerë jetës publike dhe kombëtare.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe qoftë i lehtë dheu i Kosovës që aq shumë e deshi!
Imri Ahmeti
Kryetar i Komunës së Lipjanit