Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shyqeri Mejzinolli.
E nderuara familje Mejzinolli,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Ali Shyqeri Mejzinollit, veprimtarit të çështjes kombëtare, pjesëmarrësit dhe organizatorit të protestave kundër regjimit serb, si dhe njërit ndër kontribuuesit e parë të UÇK-së në Lipjan.
Gjatë luftës ai vuri shtëpinë e tij në Shalë në shërbim të luftës çlirimtare, duke e shndërruar atë në një pikë të rëndësishme organizimi, ku u vendosën spitali për trajtimin e ushtarëve të plagosur dhe shtabi ushtarak. Në atë shtëpi u mbajtën edhe takime me delegacione ndërkombëtare ndërsa prej saj u nis delegacioni i UÇK-së për në Rambuje.
Kontributi dhe angazhimi i tij për lirinë e Kosovës do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Në këto momente të dhimbshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mejzinolli, të afërmve, miqve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Imri Ahmeti
Kryetar i Komunës së Lipjanit