Me një program të pasur artistik, sot u shënua 100-vjetori i themelimit të SHFMU “Zenel Hajdini” në Gadime, një jubile i rëndësishëm që përfaqëson një shekull përkushtimi në arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë.
Në këtë aktivitet morën pjesë Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, Drejtori i Arsimit z. Rasim Hasani, përfaqësues të institucioneve, mësimdhënës, ish-punëtorë të arsimit, nxënës dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast nënkryetari Bytyqi, uroi përfaqësuesit e shkollës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e gjeneratave të tëra të mësimdhënësve në zhvillimin e arsimit.
“Përkushtimi, sakrifica dhe puna e palodhshme e shumë gjeneratave të mësuesve dhe profesorëve kanë bërë që drita e dijes të mbetet e ndezur ndër dekada. Sot në këtë 100-vjetor me respekt dhe mirënjohje kujtojmë të gjithë ata mësimdhënës që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe formimin e brezave të shumtë, duke siguruar vazhdimësinë e procesit mësimor edhe në periudhat më sfiduese”, tha nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Ndërsa drejtori i SHFMU “Zenel Hajdini” z. Skender Ademi, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e mësimdhënësve, si dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të suksesshëm të shkollës gjatë këtyre 100 viteve.
Manifestimi u karakterizua nga një program i veçantë artistik i organizuar nga shkolla, përmes të cilit u pasqyrua historia, rrugëtimi dhe kontributi i kësaj vatre të dijes ndër vite.