Lajmërim nga Departamenti i Tatimit në Pronë – Prishtinë,
Ju njoftojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nga dita e hënë, dt. 21.07.2025, do të lëshojë në përdorim sistemin e ri të tatimit në pronë, i cili do ta zëvendësojë sistemin aktual të tatimit në pronë.
Me qëllim të migrimit të të dhënave nga sistemi aktual në sistemin e ri të tatimit në pronë, si dhe rregullimeve të çështjeve të ndryshme komplekse nga pjesa e IT-së, që kërkohen për implementimin e zëvendësimit të STP-së aktuale me STP-në e re, nga data 16.07 deri më dt. 20.07 do të ndërpritet së funksionuari STP-ja aktuale dhe tabletët, si dhe brenda kësaj periudhe nuk do të jetë në përdorim as STP-ja e re, për shkak të kohës së nevojshme që nevojitet për kalimin nga sistemi aktual në sistemin e ri të tatimit në pronë.
Funksionet kryesore do të lëshohen ditën e hënë, datë 21.07, dhe hap pas hapi do të lëshohen funksionet shtesë në përdorim për shfrytëzuesit e komunave.
Në ditët në vijim do të informoheni me risitë e tjera të STP-së së re, siç janë: fazat dhe funksionet që do të lëshohen në përdorim për zyrtarët e komunave, udhëzime për përdorimin e tyre, trajnimet që priten të organizohen për përdorimin e funksioneve, etj.
Gjatë periudhës së ndërprerjes së STP-së, tatimpaguesit që do të kërkojnë shërbimin e shtypjes së faturës së tatimit në pronë në zyrat komunale të tatimit në pronë, duhet të udhëzohen nga zyrtarët e tatimit në pronë në komuna që faturën e tatimit në pronë ta nxjerrin në e-Kosova.
Për tatimpaguesit që nuk i kanë të regjistruara pronat me numër personal, dhe për tatimpaguesit që kërkojnë edhe shërbime të tjera, e që këto shërbime lidhen me sistemin e tatimit në pronë, duhet të presin informatë të re deri në javën tjetër për t’u informuar nëse këto shërbime janë në dispozicion ose kur do të jenë në dispozicion.
Tatimpaguesit që nxjerrin faturën e tatimit në pronë nga e-Kosova, me të njëjtën mund të bëjnë pagesën dhe pagesa e tyre do të regjistrohet në STP-në e re.
Udhëzohen drejtorët e financave dhe menaxherët e tatimit në pronë që ta dërgojnë dhe informojnë të gjithë punëtorët e tatimit në pronë me njoftimin e lartshënuar.
Për çdo paqartësi apo ndihmë gjatë kohës sa do të jetë i mbyllur sistemi i tatimit në pronë, zyrtarët e komunave mund të kontaktojnë tavolinën ndihmëse në DTP.