Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, sot ka pritur në takim znj. Judith Schuler, Drejtoreshë e Marketingut dhe Komunikimit në Zyrën Qendrore të Helvetas në Zvicër dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Helvetas.
Gjatë takimit u diskutuan prioritetet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen komunat e Kosovës, me fokus në menaxhimin e financave publike, performancën komunale dhe zhvillimin ekonomik lokal, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe Helvetas për avancimin e qeverisjes lokale.
Nënkryetari Bytyqi theksoi rëndësinë e Grantit të Performancës dhe ndikimin e tij në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.
“Granti i Performancës ka qenë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin lokal dhe realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët. Komuna e Lipjanit është renditur për vite me radhë ndër komunat me performancën më të lartë në Kosovë, duke përfituar fonde për investime në infrastrukturë, objekte parashkollore dhe projekte të tjera zhvillimore”, tha nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Në kuadër të vizitës znj. Schuler, së bashku me nënkryetarin z. Bytyqi, vizitoi projektin “Kopshti i Fëmijëve” në fshatin Rufc i Ri, si dhe sallën e sportit në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Banullë. Në fund palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e mundësive të reja për mbështetjen e qeverisjes lokale dhe realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.





























