Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit të Prishtinës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, e organizuar nga OSBE.
Me këtë rast Nënkryetari Bytyqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të viktimave të dhunës.
“Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Ky memorandum forcon bashkëpunimin dhe siguron qëndrueshmëri në ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”, tha nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe strehimores, me fokus në sigurimin e mbështetjes financiare të qëndrueshme për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Komuna e Lipjanit mbetet e angazhuar në mbështetjen e mekanizmave që kontribuojnë në mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave, duke garantuar qasje në shërbime të sigurta dhe të qëndrueshme.