Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule pranë lapidarit të Dëshmorit të Kombit, Lulzim Llugiqi, me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij heroike.
Me këtë rast nënkryetari Bytyqi, theksoi rëndësinë e kontributit dhe sakrificës së dëshmorëve për lirinë e vendit, duke vlerësuar se ata janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë. Ai veçoi figurën e Lulzim Llugiqit, i cili u kthye nga diaspora për t’iu bashkuar luftës çlirimtare, duke shtuar se vepra dhe sakrifica e tij, si dhe e të gjithë dëshmorëve, duhet të kujtohen dhe nderohen gjithmonë.
Pas homazheve u mbajt një program përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit Lulzim Llugiqi, ku u përkujtua roli dhe sakrifica e tij në rrugën drejt lirisë.
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që ranë për lirinë e atdheut!