Në kuadër të shënimit të Ditës së Shkollës në SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, në palestrën sportive “Better Life” u mbajt sot edicioni i pestë i P-GJASHT, panairi i gjuhës, artit, shkencës dhe teknologjisë. Ky aktivitet edukativ është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për promovimin e kreativitetit, inovacionit dhe mendimit kritik te nxënësit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, Drejtori i Arsimit z. Rasim Hasani, përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Me këtë rast kryetari Ahmeti, vlerësoi rëndësinë e panairit, duke theksuar se ai tashmë ka tejkaluar kufijtë e Komunës së Lipjanit dhe është shndërruar në një model të suksesshëm të promovimit të dijes dhe kreativitetit.
“Panairi i Gjuhës, Artit, Shkencës dhe Teknologjisë është një projekt që dëshmon potencialin dhe talentin e nxënësve tanë. Fakti që ky panair ka tejkaluar kufijtë e Komunës së Lipjanit dhe ka bashkuar shkolla nga komuna të ndryshme e bën atë një nga iniciativat më të rëndësishme arsimore që mbështesim me përkushtim. Ne do të vazhdojmë të mbështesim projekte që nxisin dijen, kreativitetin dhe inovacionin te gjeneratat e reja”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Drejtori i SHFMU “Vëllezërit Frashëri” z. Jakup Bahtri, falënderoi Kryetarin e Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë këtij organizimi ndër vite. Ai bëri të ditur se në edicionin e sivjetmë po prezantohen mbi 180 projekte nga nxënësit e shkollave të komunave të Lipjanit, Prishtinës, Podujevës dhe Drenasit, gjë që dëshmon për rritjen e vazhdueshme dhe rëndësinë që ka marrë ky panair në nivel ndërkomunal.
Në përmbyllje të aktivitetit, drejtori Bahtri ndau mirënjohje për Kryetarin z. Imri Ahmeti, dhe Drejtorin e Arsimit z. Rasim Hasani, në shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e tyre në organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të Panairit P-GJASHT.
Ky panair u organizua nga SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, me mbështetjen e Komunës së Lipjanit dhe mblodhi nxënës e mësimdhënës nga komuna të ndryshme të vendit.