Sot është mbajtur takimi i Mekanizmit Koordinues Komunal Kundër Dhunës në Familje, me fokus në koordinimin institucional dhe trajtimin e sfidave në parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës në familje.
Takimin e hapi nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, i cili shprehu solidaritet lidhur me rastin e fundit tragjik në Kosovë, ku një grua humbi jetën si pasojë e dhunës. Ai theksoi nevojën për angazhim të përbashkët institucional në parandalimin e rasteve të tilla dhe mbrojtjen e viktimave.
“Dhuna në familje kërkon reagim të koordinuar institucional dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë akterët përkatës. Çdo rast duhet të trajtohet me seriozitet ndjeshmëri dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat të marrin mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme. Përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, duhet të forcojmë mekanizmat parandalues dhe të sigurojmë që asnjë viktimë të mos mbetet pa ndihmë”, tha nënkryetari Bytyqi.
Gjatë takimit anëtarët e mekanizmit diskutuan për problematikat dhe sfidat me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, veçanërisht në koordinimin ndërinstitucional menaxhimin e rasteve dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat.
Në vazhdim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës mbajtën një trajnim mbi legjislacionin përkatës, menaxhimin e rasteve procedurat për ofrimin e shërbimeve dhe zbatimin e qasjes me viktimën në qendër, me qëllim të forcimit të njohurive dhe praktikave profesionale të anëtarëve të mekanizmit.
Takimi shërbeu për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e sfidave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Gjatë diskutimeve u theksua edhe nevoja për mbështetje më të madhe nga niveli qendror, me qëllim të forcimit të mekanizmave për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.













