Sot në sallën e takimeve të Komunës së Lipjanit, është mbajtur mbledhja e parë për vitin 2026 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën u diskutua për gjendjen e sigurisë në komunë dhe aktivitetet e planifikuara për këtë vit.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit dhe njëherësh kryesues i KKSB-së, z. Diamant Bytyqi, në fjalën hyrëse përshëndeti anëtarët e Këshillit dhe prezantoi planin vjetor të aktiviteteve të KKSB-së për vitin 2026. Ai theksoi rëndësinë e aktiviteteve që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për çështje që lidhen me sigurinë dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Kapiteni i Stacionit Policor në Lipjan z. Brahim Shatrolli, prezantoi pasqyrën e përgjithshme të gjendjes së sigurisë në komunë, duke vlerësuar se situata e sigurisë mbetet e qetë dhe stabile. Me këtë rast ai falënderoi institucionet komunale për bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në këtë mbledhje udhëheqësi i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan z. Sadri Shamolli, prezantoi raportin mbi intervenimet e realizuara gjatë kësaj periudhe, me theks të veçantë te ndërhyrjet gjatë vërshimeve në fillim të vitit 2026, ku ekipet e zjarrfikësve realizuan intervenime dhe evakuime në zonat e prekura.
Gjatë mbledhjes anëtarët e KKSB-së, diskutuan edhe për koordinimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve lokale dhe mekanizmave të sigurisë, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Lipjanit.