Gjatë kësaj ceremonie, Kryetari Ahmeti falënderoi përfaqësuesit institucionalë, organizatat partnere vendore dhe ndërkombëtare, Policinë e Kosovës, Bashkësinë Islame në Lipjan, komunitetin e biznesit, si dhe qytetarët e Komunës së Lipjanit për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Duke folur për arritjet e vitit që po mbyllet, Kryetari Ahmeti e vlerësoi vitin 2025 si një periudhë me rezultate të rëndësishme, duke theksuar investimet në projekte infrastrukturore, si dhe mbështetjen konkrete për sportin, shoqërinë civile dhe sektorin e bujqësisë, përmes subvencionimit të pajisjeve bujqësore dhe mjeteve të tjera.
“Qytetarët e Lipjanit kanë qenë partnerët tanë kryesorë në këtë rrugëtim. Së bashku kemi ndërtuar një bazë të fortë për të vazhduar zhvillimin e komunës sonë,” tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Në përmbyllje të këtij organizimi, Kryetari Ahmeti uroi të gjithë qytetarët për festat e fundvitit dhe i ftoi ata që edhe në të ardhmen të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe vendbanimeve të Komunës së Lipjanit, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Ceremonia u përmbyll me shfaqjen e një reportazhi informues të përgatitur nga Sektori për Marrëdhënie me Publikun, i cili përmbledh projektet dhe punët kryesore të realizuara nga Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2025.