Temë diskutimi ishte deponia e mbeturinave e propozuar nga Qeveria e Kosovës për t’u ndërtuar në Komunën e Lipjanit, konkretisht në afërsi të zonës industriale në Kërçevë.
Kryetari z. Imri Ahmeti ka thënë se çështja e lokacionit për deponim në zonën e Kërçevës është e pajustifikueshme dhe bie në kundërshtim me të gjitha kriteret për deponi sanitare.
Kryetari Ahmeti po ashtu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Ministrinë përkatëse që të zgjidhet ky problem jetik për rajonin e Prishtinës, por edhe për vendin në përgjithësi.
Ndërsa, drejtori për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit z. Imri Semetishti, ka prezantuar me slajde detajet e lokacionit të propozuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e kësaj deponie në Lipjan, si dhe ndikimet negative që mund të sjellë ndërtimi i kësaj deponie në këtë zonë, pasi që në kufi të saj gjendet Zona Ekonomike, në të cilën janë bërë investime të mëdha, po ashtu në kufi me rezervatin e Blinajës, pastaj në afërsi dhe në mes të 5 fshatrave të banuara, si dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës etj.
Nga ana tjetër ministrja znj. Fitore Pacolli, ka falënderuar kryetarin Ahmeti për pritjen, si dhe përfaqësuesit komunalë të cilët kanë informuar në hollësi lidhur me pozicionin se ku kishte propozuar Qeveria ndërtimin e kësaj deponie. Në të njëjtën kohë, ministrja Pacolli u dakordua që në vazhdim të bashkërendojnë aktivitetet në zgjidhjen e këtij problemi.
Në fund të takimit kryetari Ahmeti, ka ofruar gatishmërinë e tij institucionale për të shkuar drejt zgjidhjes së këtij problemi.