Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit Dr. Cemil Tugay, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Kryetari Ahmeti e falënderoi për vizitën në Lipjan dhe prezantoi potencialet zhvillimore të komunës.
“Lipjani ofron mundësi të mëdha për investime dhe zhvillim ekonomik, falë pozitës së tij strategjike në Rrafshin e Kosovës dhe infrastrukturës që e lidh me autostradat, hekurudhën dhe Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai veçoi edhe potencialet turistike të komunës, përfshirë Shpellën e Gadimes dhe Parkun Nacional “Blinaja”, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Izmirin në fushën e ekonomisë, biznesit, kulturës dhe shkëmbimeve institucionale.
Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit Dr. Cemil Tugay, falënderoi për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve.
“Kam ardhur nga Izmiri, qytet në të cilin jetojnë shumë qytetarë me prejardhje nga Kosova. Kjo është vizita ime e parë në Lipjan dhe shpresoj që të jetë fillimi i një bashkëpunimi më të ngushtë në të ardhmen. Lidhjet ndërmjet nesh mbështeten në marrëdhënie të forta njerëzore, historike dhe kulturore”, tha kryetari Dr. Cemil Tugay.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Shoqatës Shqiptare “Kosova Rumeli” në Buca z. Uğur Şengöz. Në shenjë miqësie, kryetari Ahmeti i dhuroi Dr. Tugay stemën e Komunës së Lipjanit, ndërsa kryetari i Izmirit i dhuroi kryetarit Ahmeti një dhuratë simbolike nga qyteti i Izmirit.










