Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim drejtorin e ri të Zyrës Rajonale të OSBE-së në Prishtinë z. Igli Totozani, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij.
Gjatë takimit Kryetari Ahmeti, falënderoi drejtorin Totozani për vizitën dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe OSBE-së. Ai prezantoi projektet zhvillimore të Komunës së Lipjanit, me theks të veçantë në investimet në infrastrukturë, zhvillimin e zonave ekonomike dhe promovimin e potencialeve turistike, përfshirë Parkun Nacional të Blinajës dhe Shpellën e Gadimes.
Drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Prishtinë z. Igli Totozani, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Lipjanit, veçanërisht në trajtimin e çështjeve që lidhen me personat me nevoja të veçanta. Ai shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Në fund të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta.