Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot priti në takim delegacionin e Qatar Charity Kosova të kryesuar nga z. Ahmad Al Amadi, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për realizimin e projekteve të reja në të ardhmen.
Gjatë takimit Kryetari Ahmeti, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Qatar Charity Kosova në realizimin e projekteve të ndryshme në komunë.
“Me organizatën Qatar Charity kemi realizuar bashkëpunime të shumta dhe për këtë dëshiroj t’ju falënderoj. Në veçanti vlerësoj kontributin tuaj në rehabilitimin e ujësjellësit në fshatin Krojmir, tash së fundmi një projekt i rëndësishëm për banorët e këtij fshati, i cili ka mundësuar rifunksionalizimin e sistemit të furnizimit me ujë”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai po ashtu prezantoi potencialet ekonomike dhe turistike të Komunës së Lipjanit, duke veçuar zonat ekonomike, Parkun e Blinajës dhe Shpellën e Gadimes.
Përfaqësuesi i Qatar Charity Kosova z. Ahmad Al Amadi, shprehu kënaqësinë për vizitën në Lipjan dhe për mikpritjen e ofruar nga Kryetari Ahmeti. Ai theksoi se projektet e realizuara janë pjesë e angazhimit të organizatës për mbështetjen e qytetarëve, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me projekte të reja.
Në fund të takimit Kryetari Ahmeti i dhuroi z. Ahmad Al Amadi stemën e Komunës së Lipjanit, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në realizimin e projekteve të ndryshme.