Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Eevamari Laaksonen, me të cilën bisedoi për zhvillimet në Komunën e Lipjanit dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Me këtë rast Kryetari Ahmeti, i uroi mirëseardhje Ambasadores Laaksonen, e falënderoi për vizitën në Komunën e Lipjanit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit finlandez ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e trupave finlandeze në kuadër të KFOR-it, të cilat kanë shërbyer edhe në Lipjan.
“Kjo është një mundësi e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj shtetit të Finlandës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. Qytetarët e Lipjanit dhe të gjithë Kosovës janë mirënjohës për kontributin e trupave finlandeze në kuadër të KFOR-it, me të cilët kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer. Ne vlerësojmë lart rolin e Finlandës dhe shprehim gatishmërinë tonë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe institucioneve finlandeze”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai theksoi gjithashtu se Kosova ka kaluar procese të rëndësishme shtetformuese dhe zhvillimore, duke nënvizuar progresin e arritur në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e sektorëve kyç, si arsimi dhe shëndetësia.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, znj. Eevamari Laaksonen, falënderoi Kryetarin Ahmeti për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi punën dhe përkushtimin e Komunës së Lipjanit.
“Që nga fillimi i mandatit tim si Ambasadore në Kosovë, një ndër qëllimet e mia ka qenë të vizitoj komunat e Kosovës, për të njohur më nga afër punën dhe zhvillimin e tyre. Ishte kënaqësi të dëgjoj për punën, përkushtimin dhe zhvillimin e Komunës së Lipjanit. Finlanda do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen”, tha Ambasadorja Laaksonen.
Në përfundim të takimit, palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe shtetit të Finlandës.