Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim kryetarin e Shoqatës Shqiptare “Kosova Rumeli” në Buca të Turqisë, z. Uğur Şengöz, me të cilin diskutoi për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe diasporës shqiptare në Turqi.
Me këtë rast kryetari Ahmeti, falënderoi përfaqësuesit e shoqatës për vizitën, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të lidhjeve të vazhdueshme me diasporën shqiptare.
“Diaspora shqiptare në Turqi ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve dhe bashkatdhetarëve tanë, ne mbetemi të përkushtuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë edhe më tej në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në kulturë, arsim dhe zhvillim ekonomik”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Gjatë takimit palët theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit shqiptar në Buca dhe vendlindjes, si dhe diskutuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta që synojnë promovimin e vlerave kulturore dhe forcimin e lidhjeve institucionale.
Ndërsa kryetari i shoqatës, z. Uğur Şengöz, falënderoi kryetarin Ahmeti për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke vlerësuar angazhimin e Komunës së Lipjanit në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare në Turqi, si dhe duke shprehur interesimin për zgjerimin e bashkëpunimit në aktivitete kulturore.
Shoqata “Buca Kosova Rumeli Kültür” luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar në Turqi, duke shërbyer si urë lidhëse ndërmjet diasporës dhe institucioneve në Kosovë.