Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim Drejtorin e organizatës PREDA Plus, z. Valentin Hoxha, me të cilin ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi në kuadër të projektit “E Ardhmja e Saj – Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë”, me qëllim mbështetjen dhe avancimin e rolit të grave në zhvillimin ekonomik lokal.
Me këtë rast Kryetari Ahmeti, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e përfshirjes së grave në fushën e ndërmarrësisë dhe fuqizimin e tyre ekonomik.
“Mbështes fuqishëm iniciativa që synojnë fuqizimin ekonomik të grave pasi konsideroj se përfshirja e tyre aktive në biznes dhe ndërmarrësi është një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm lokal, mbështetja e grave në biznes jo vetëm që rrit pavarësinë e tyre ekonomike por kontribuon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e familjeve dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të shoqërisë”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Ky bashkëpunim synon krijimin e mundësive të reja ekonomike për gratë dhe vajzat rritjen e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës, si dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në nivel lokal.
Drejtori i Projektit nga organizata PREDA Plus, z. Valentin Hoxha, falënderoi Komunën e Lipjanit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e vazhdueshme në mbështetje të projekteve që kanë për qëllim avancimin dhe fuqizimin e grave në ndërmarrësi.
Në kuadër të projektit parashihen aktivitete që synojnë ngritjen e kapaciteteve institucionale për promovimin e ndërmarrësisë së grave, krijimin e rrjeteve rajonale mbështetëse për gratë sipërmarrëse, ofrimin e trajnimeve dhe pajisjeve për 100 biznese të reja në pronësi të grave, organizimin e kampeve intensive të ndërmarrësisë për 350 vajza të reja, si dhe forcimin e kapaciteteve të partnerëve lokalë për mbështetje afatgjatë të grave në biznes.
Projekti financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim-BMZ dhe zbatohet nga PREDA Plus në partneritet me WEntrepreneur, me mbështetjen e organizatës Arbeiter Samariter Bund-ASB Köln.