Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim drejtoreshën e Fondacionit “Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan”, znj. Miradije Salihu, me të cilën ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me qëllim fuqizimin e grave dhe vajzave përmes aftësimit profesional.
Me këtë rast kryetari Ahmeti, theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete për zhvillimin profesional të grave.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të ketë trajnime për gratë sepse besojmë se përmes këtyre trajnimeve profesionale do të përfitojnë njohuritë e nevojshme, qoftë për të hapur një biznes qoftë për t’u punësuar në biznese të ndryshme, gjë që ndikon në rritjen e mirëqenies së tyre ekonomike”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ky bashkëpunim synon ofrimin e trajnimeve profesionale falas për gra dhe vajza të moshës nga 8 deri në 55 vjeç në fusha të ndryshme si rrobaqepësi, pastiçeri, grim, parukeri, manikyr dhe pedikyr, si dhe në gjuhën angleze, teknologjinë informative dhe menaxhimin e ndërmarrjeve të vogla.
Drejtoresha e fondacionit “Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan”, znj. Miradije Salihu, falënderoi kryetarin Ahmeti për gatishmërinë e bashkëpunimit në ofrimin e trajnimeve për gratë, të cilat kanë për qëllim rritjen e mundësive për punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm të grave.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Fondacioni do të sigurojë realizimin e trajnimeve profesionale pa pagesë dhe do të pajisë pjesëmarrëset me certifikata pas përfundimit me sukses të programeve.