Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës – RrGK, me qëllim të fuqizimit të Mekanizmit Koordinues Komunal Kundër Dhunës në Familje – MKKDhF.
Ky bashkëpunim synon rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të Mekanizmit, përmes trajnimeve të specializuara, përpilimit të strategjive të zhvillimit, planeve të punës dhe planifikimeve buxhetore.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, parashihet mbështetje për krijimin e bashkëpunimeve ndërsektoriale dhe forcimin e rolit të institucioneve lokale në ofrimin e mbrojtjes së duhur për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Nënshkrimi i këtij memorandumi konfirmon angazhimin e përbashkët për forcimin e mekanizmave institucionalë dhe ofrimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe efektive për adresimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore.