Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, dhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari-Lila, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për Zonën Ekonomike në Qylagë.
Kryetari Ahmeti e vlerësoi këtë marrëveshje si një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Lipjanit.
“Zona Ekonomike është një projekt me rëndësi strategjike për Lipjanin, i cili krijon mundësi të reja për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të reja të punës për qytetarët tanë dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve të reja”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Marrëveshja parasheh financimin e fazës së pestë të ndërtimit të infrastrukturës fizike në Parkun Industrial dhe do të realizohet gjatë viteve 2026–2027.
Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës së parkut industrial, krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve, tërheqjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Komunën e Lipjanit.