Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorë në kuadër të shënimit të 28 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në sheshin e qytetit të Lipjanit.
Kryetari Ahmeti theksoi se përvjetorët e Epopesë së UÇK-së nuk janë vetëm momente përkujtimi, por edhe një mundësi për reflektim mbi përgjegjësinë që kemi për të ardhmen e shtetit dhe ndërtimin e tij.
“Sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij mbetet simbol i heroizmit dhe përkushtimit të palëkundur për lirinë dhe atdheun. Kjo sakrificë përfaqëson një mesazh të përhershëm për unitetin dhe dashurinë ndaj vendit. Brezat e sotëm dhe ata që vijnë kanë përgjegjësinë të ruajnë dhe të përcjellin vlerat e luftës për liri duke kontribuar në forcimin e shtetit dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme mbi idealet dhe sakrificën e dëshmorëve”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Përulje përjetësisht për heroizmin dhe sakrificën e Familjes Jashari!
Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!