Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Lipjanit, në sheshin “Adem Jashari” u mbajt koncert festiv me një atmosferë të veçantë, ku performoi ansambli i mirënjohur “Pjetër Bogdani” nga Krumë-Has, Republika e Shqipërisë.
Ansambli solli në skenë një program të pasur artistik me motive nga trashëgimia jonë kulturore dhe folklorike, duke ngjallur emocione dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës kushtuar dëshmorëve të Komunës së Lipjanit, një çast që preku zemrat e publikut dhe rikujtoi me krenari sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, në emër të Kryetarit të Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, ansamblit “Pjetër Bogdani” iu dorëzua Simboli i Komunës së Lipjanit si vlerësim i veçantë për interpretimin emocionues të këngës kushtuar dëshmorëve të Lipjanit, si dhe për kontributin e çmuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.
Ky aktivitet u mbështet nga Komuna e Lipjanit – DKRS dhe u implementua nga Qendra e Rinisë – Lipjan LYC.