Komuna e Lipjanit është vlerësuar me çmimin “Peacebuilding Champion” Kampione e Ndërtimit të Paqes, në kuadër të çmimeve “YPS Local Champions Awards”, për nismën “Hapësira Komunale për Ndërtimin e Paqes të Udhëhequr nga të Rinjtë”.
Ky vlerësim njeh angazhimin e Komunës së Lipjanit në mbështetjen e të rinjve, krijimin e mundësive për organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tyre, si dhe forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve. Ndër rezultatet konkrete të nismës janë ofrimi i hapësirave pa pagesë për mbi 10 organizata rinore dhe OJQ, si dhe themelimi i Forumit të Komuniteteve për Interes Publik.
Në kuadër të Forumit Rajonal të mbajtur në Shkup Anila Deliu, përfaqësuese e Komunës së Lipjanit, mori pjesë në panelin e diskutimit me temën “Nga vlerësimi te veprimi, Mësimet e nxjerra nga Kampionët Lokalë të YPS”. Ajo prezantoi përvojën e Komunës së Lipjanit, rezultatet e arritura përmes mbështetjes institucionale për të rinjtë, sfidat gjatë zbatimit të nismës, si dhe praktikat që mund të shërbejnë si shembull për komunat e tjera.
Në forum mori pjesë edhe nënkryetarja për Komunitete e Komunës së Lipjanit Mehreme Goliqi, e cila është njëra nga fitueset e çmimit “Harmony Hero Award”, të ndarë nga RYCO dhe Ambasada Gjermane, për angazhimin e saj në ndërtimin e paqes dhe promovimin e harmonisë ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
Forumi u organizua nga Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave, të rinjve dhe organizatave partnere nga Ballkani Perëndimor.







