Aktivitetet filluan me homazhe pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, ku së bashku me familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore, u kujtua me respekt dhe përulësi sakrifica sublime e bijve dhe bijave të Komunës së Lipjanit.
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Imri Ahmeti, në Sallën e Kuvendit u organizua Akademia Përkujtimore në nderim të 14 Qershorit, Ditës së Dëshmorëve, e cila shërbeu si një moment reflektimi për të kaluarën tonë të lavdishme dhe për obligimin që kemi ndaj saj në ndërtimin e së ardhmes.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e kësaj date për të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe më gjerë.
“14 Qershori nuk është një ditë e zakonshme. Është një ditë kur zemra dhe mendja na shkojnë te ata që sakrifikuan gjithçka për një të ardhme më të mirë për ne. Ata që nuk e deshën luftën, por nuk pranuan robërinë. Ata që nuk kërkuan asgjë për vete, por na lanë gjithçka, na lanë lirinë”, tha Kryetari Ahmeti.
Ai e vlerësoi lirinë si një vlerë të fituar me shumë sakrificë, e cila duhet të ruhet dhe të trashëgohet me përgjegjësi.
“Liria nuk ka ardhur vetë, as nuk ka rënë nga qielli. Ajo është ndërtuar me mund, me sakrificë dhe me gjakun e dëshmorëve tanë. Sot, ajo jeton në rrugët që i shkelim, në shkollat ku mësojnë fëmijët tanë dhe në çdo fjalë shqipe që e themi pa frikë”, është shprehur Kryetari Ahmeti.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për përpjekjet që historia të shtrembërohet apo të harrohet, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me ndjenjën e kujtesës kombëtare:
“Borxhi ndaj tyre nuk shlyhet me fjalë. Ai kërkon përkushtim për një shtet që funksionon me arsim cilësor, me shëndetësi dinjitoze, me ekonomi që u jep të rinjve arsye për të qëndruar këtu. Me udhëheqje që bashkon dhe ndërton, e jo që përçan dhe shkatërron”, ka theksuar Kryetari Ahmeti.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryetari Ahmeti bëri të ditur se do të vazhdojë të investojë në projekte përkujtimore konkrete si:
Monumenti i Dëshmorëve dhe Martirëve të Komunës së Lipjanit, ku do të skaliten me nder emrat e atyre që ranë për këtë tokë, si një thirrje për çdo brez.
“Mos e ndërtoni të ardhmen duke harruar të kaluarën!”, theksoi ai.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve tanë!
Respekt dhe mirënjohje të thellë për familjet e tyre, për veteranët dhe për të gjithë ata që i shërbyen lirisë!