Në sallën e Kuvendit Komunal të Lipjanit, sot është mbajtur sesioni informues për mundësitë e përfitimit të granteve në fushën e ndërmarrësisë, një nismë që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të fuqizojë iniciativat e reja të qytetarëve.
Në hapje të këtij sesioni mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së ideve inovative dhe krijimit të kushteve më të favorshme për të rinjtë dhe gratë që synojnë të ndërtojnë biznese të qëndrueshme.
“Besoj fuqishëm se zhvillimi ekonomik fillon me përkrahjen e ideve të mira dhe me krijimin e kushteve që u mundësojnë atyre të realizohen. Si institucion, jemi të përkushtuar të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për qytetarët tanë, në bashkëpunim me partnerë si Islamic Relief Kosova, me qëllim të sjelljes së mundësive të reja dhe konkrete,” tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë të interesuarve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëhen pjesë aktive e zhvillimit ekonomik të komunës sonë.
Në sesion morën pjesë edhe drejtoresha e organizatës Islamic Relief Kosova dhe drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim i Komunës së Lipjanit, të cilët prezantuan detaje të rëndësishme rreth procesit të aplikimit dhe kritereve për përfitim nga grantet.
Ky aktivitet përfaqëson një hap konkret drejt fuqizimit dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në nivel lokal.