Drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, z. Rasim Hasani, sot ka pritur në takim nxënësin e dalluar Adri Vila, së bashku me drejtorin e SHFMU “Vëllezërit Frashëri”, z. Jakup Bahtiri, me rastin e suksesit të jashtëzakonshëm të Adrit në garat ndërkombëtare të shkencës dhe programimit, të mbajtura në Orlando, Florida, SHBA.
Adri Vila, nxënës i klasës së 9-të i SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, arriti të fitojë dy medalje të arta në fushat e shkencës dhe kodimit, duke u renditur në dy vendet e para në “Coding Olympiad – NEO Science Olympiad 2026”. Ky sukses është një dëshmi e qartë e talentit, përkushtimit dhe punës së palodhur të Adrit, si një ndër nxënësit më të dalluar të Komunës së Lipjanit.
Gjatë takimit, drejtori i DKA-së, z. Rasim Hasani, e përgëzoi Adrin për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe për ngritjen e flamurit të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare.
“Arritja e Adrit është një sukses që na bën krenarë të gjithëve, jo vetëm Komunën e Lipjanit, por edhe mbarë Kosovën. Ai është shembull se me dije, punë dhe përkushtim, të rinjtë tanë mund të shkëlqejnë kudo në botë. Adri na ka nderuar dhe na ka treguar se e ardhmja jonë është e sigurt në duart e gjeneratave të tilla”, tha drejtori i DKA-së, z. Rasim Hasani.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nxënësve të talentuar, të cilët po arrijnë suksese edhe në arenën ndërkombëtare.