Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatës holandeze CNVP, të cilët prezantuan studimin e fizibilitetit për projektin e ngrohjes qëndrore në qytetin e Lipjanit.
Kryetari Ahmeti vlerësoi lart rëndësinë e këtij projekti, duke theksuar se zgjidhja e problemit të ngrohjes është një ndër prioritetet e Komunës dhe se një projekt i tillë, jo vetëm që adreson një nevojë të përditshme, por edhe do të ndikonte ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. Ai gjithashtu falënderoi organizatën CNVP për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e tyre profesional.
Gjatë takimit u prezantuan analizat dhe gjetjet e para të këtij studimi nga një kompani austriake eksperte, e cila është e angazhuar në fazën e parë të projektit. Studimi trajton mundësitë reale për realizimin e një sistemi modern të ngrohjes qëndrore, si një zgjidhje afatgjatë për problemin e furnizimit me ngrohje në qytet.
Ky është vetëm hapi i parë, bëhet fjalë për studimin e fizibilitetit për sistemin e ngrohjes qëndrore në qytetin tonë. Projekte të tilla konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përmbylljen e infrastrukturës së nevojshme për ngrohjen e qytetit të Lipjanit.