Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport organizoi aktivitetin “Gjurmët e Atë Shtjefën Gjeçovit”, kushtuar jetës, veprës dhe kontributit të tij në ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore shqiptare.
Aktiviteti u mbajt në hapësirat e shkollës në Janjevë dhe filloi me homazhe pranë bustit të Atë Shtjefën Gjeçovit, në shenjë respekti për figurën dhe veprimtarinë e tij në mbledhjen dhe dokumentimin e traditave dhe të së drejtës zakonore shqiptare.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, theksoi rëndësinë e veprimtarisë së Gjeçovit në dokumentimin e së drejtës zakonore shqiptare, veçanërisht përmes veprës së njohur “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
“Atë Shtjefën Gjeçovi zë një vend të rëndësishëm në historinë dhe kulturën tonë kombëtare, përmes punës së tij të palodhshme, ai kontribuoi në ruajtjen dhe dokumentimin e traditave, zakoneve dhe vlerave të popullit shqiptar. Vepra ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’ përbën një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë sonë juridike e kulturore, ndërsa vepra e tij na kujton përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat e rinj”, tha nënkryetari Bytyqi.
Në kuadër të aktivitetit, profesorë nga Instituti i Historisë trajtuan rëndësinë historike dhe kulturore të veprimtarisë së Gjeçovit, duke vënë në pah kontributin e tij në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë shqiptare. Programi u pasurua gjithashtu me interpretimin e poezive kushtuar jetës dhe veprës së tij, duke i dhënë aktivitetit një dimension artistik.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore, si dhe në nderimin e personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar në historinë dhe identitetin shqiptar.













































