SHFMU “Migjeni” në Rufc të Ri shënoi 100-vjetorin e themelimit, duke përkujtuar një shekull histori dhe përkushtimi ndaj arsimit, si dhe kontributin e saj në edukimin e brezave të shumtë të kësaj treve.
Në ceremoni mori pjesë Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, i cili vlerësoi rëndësinë historike të shkollës dhe rolin e saj në arsimimin e brezave ndër vite.
“Një shekull përkushtim ndaj dijes, edukimit dhe arsimit, gjatë të cilit breza të tërë mësimdhënësish kanë dhënë kontribut të çmuar në formimin e gjeneratave të reja. Nga kjo shkollë kanë dalë kuadro të profileve të ndryshme dhe emra të shquar në shumë fusha të jetës”, tha kryetari Ahmeti.
Ai ndau gjithashtu kujtime personale nga vitet e shkollimit në këtë institucion, ku kishte përfunduar nëntë vite dhe shprehu mirënjohje për mësuesin e tij të parë, Avdurrahman Reçicën, si dhe për drejtorin e atëhershëm të shkollës, Ruzhdi Hajdinin, të cilët i kujton me respekt nga ajo periudhë.
Drejtori i shkollës z. Metush Jashanica, falënderoi të pranishmit dhe prezantoi një përmbledhje të historikut të institucionit, nga themelimi deri në ditët e sotme. Ai bëri të ditur se Komuna e Lipjanit ka investuar mbi një milion euro në infrastrukturën shkollore, duke shprehur mirënjohje për kryetarin Ahmeti për mbështetjen e dhënë.
Shënimi i këtij jubileu rikujtoi historikun njëshekullor të shkollës “Migjeni” dhe rolin e saj në arsimimin e brezave në Rufc të Ri.





























































