Komuna e Lipjanit sot ka filluar aktivitetet në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”, e cila i kushtohet ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Përmes kësaj fushate synohet rritja e informimit të qytetarëve dhe përcjellja e mesazhit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe zbulimit të hershëm.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, theksoi rëndësinë e informimit dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit, si hapa të rëndësishëm në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve. Ai falënderoi profesionistët shëndetësorë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe për kontributin e tyre në aktivitetet e kësaj fushate.
Programi i ditës filloi me një ligjëratë vetëdijësuese për kancerin e gjirit, gjatë së cilës profesionistët shëndetësorë të QKMF-së në Lipjan trajtuan rëndësinë e kontrolleve të rregullta, informimit dhe zbulimit të hershëm. Aktivitetet vazhduan me një ecje simbolike në sheshin “Adem Jashari”, ku qytetarëve iu shpërndanë fletushka dhe materiale informuese.
Aktivitetet u organizuan nga drejtori i Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale z. Shkëlzen Hajdini, në bashkëpunim me drejtoreshën e Administratës znj. Ajkuna Maliqi Gjonaj, dhe profesionistët shëndetësorë të QKMF-së në Lipjan.
Përmes fushatës “Tetori Rozë” Komuna e Lipjanit, synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke inkurajuar kujdesin dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj shëndetit.
Aktivitetet në kuadër të “Tetorit Rozë” do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit tetor, sipas agjendës së paraparë.