Kuvendi i Komunës së Lipjanit, i udhëhequr nga Kryesuesi z. Daut Azemi, sot filloi punimet e mbledhjes së nëntë të rregullt.
Gjatë seancës u shqyrtuan pikat e rendit të ditës sipas agjendës së paraparë. Në kuadër të punimeve të seancës, Kuvendi miratoi edhe Deklaratën lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, me ç’rast kuvendarët shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me trajtimin dhe dënimin të cilin e konsideruan të padrejtë, ndaj një pjese të krerëve të UÇK-së.
Gjithashtu kuvendarët u bëjnë thirrje organeve shtetërore në nivel nacional që të bashkërendojnë veprimet e mëtejshme lidhur me situatën aktuale, me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të UÇK-së.
Pas pauzës së drekës, mbledhja nuk vazhdoi për shkak të mungesës së kuorumit në sallë.
Në këto rrethana, Kryesuesi i Kuvendit z. Daut Azemi, njoftoi ndërprerjen e punimeve të seancës, ndërsa bëri të ditur se anëtarët e Kuvendit do të njoftohen me kohë për vazhdimin e saj.