Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e aksionarëve të Komunës së Lipjanit në Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”, si dhe me zyrtarët përgjegjës të administratës komunale, ku është diskutuar gjendja aktuale në sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe sfidat që lidhen me grumbullimin dhe transportin e tyre.
Gjatë takimit u vlerësua se situata e krijuar në Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi” mbetet shqetësuese dhe paraqet një sfidë të madhe për komunat. U theksua se përkundër bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme që Komuna e Lipjanit i ka ofruar ndërmarrjes, situata në terren është përkeqësuar dhe kërkon ndërmarrjen e masave urgjente për përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Në këtë drejtim pjesëmarrësit u dakorduan që përfaqësuesit e Komunës së Lipjanit, në cilësinë e aksionarëve, t’i propozojnë Kuvendit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” shkëputjen e njësisë së Lipjanit nga kjo ndërmarrje dhe rikthimin e saj nën menaxhimin e Komunës së Lipjanit.
Po ashtu ekzekutivi komunal do të përgatisë masat dhe veprimet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes në terren, me synim përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e një ambienti më të pastër për qytetarët e Komunës së Lipjanit.