Sot ka filluar procesi i dëgjimeve buxhetore për planifikimin e buxhetit për periudhën 2027–2029, me synim përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të Komunës së Lipjanit.
Në hapje të takimeve Drejtori për Buxhet dhe Financa z. Latif Ramadani, prezantoi rëndësinë e këtij procesi në përcaktimin e projekteve dhe investimeve që do të përfshihen në buxhet. Ai theksoi se takimet publike u japin qytetarëve mundësi të drejtpërdrejtë për të paraqitur ide dhe propozime konkrete, duke kontribuar në përcaktimin e prioriteteve buxhetore të komunës.
Takimet e para u zhvilluan me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kuvendit Komunal, Komitetit për Politikë dhe Financa, Komitetit për Komunitete dhe komiteteve të tjera komunale, përfaqësueseve dhe shoqatave të grave, organizatave të shoqërisë civile, personave me aftësi të kufizuara, të rinjve dhe shoqatave rinore, klubeve sportive, qytetarëve të Lipjanit, kryetarëve dhe anëtarëve të këshillave të fshatrave, si dhe qytetarëve të Gadimes.
Kërkesat sugjerimet dhe propozimet e paraqitura gjatë këtyre takimeve do të shërbejnë si bazë për përcaktimin e prioriteteve dhe hartimin e buxhetit komunal për vitet 2027–2029, në përputhje me nevojat dhe interesat e qytetarëve.
Komuna e Lipjanit do të vazhdojë të promovojë transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, duke synuar që planifikimi financiar të reflektojë sa më mirë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.