Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorë, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shkronjave të arta të UÇK-së në Memorialin “Istikamet e UÇK-së”, në Kodrën e Kërqevës.
Me këtë rast Kryetari Ahmeti, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të përuruar shkronjat e arta të UÇK-së. Jemi mbledhur për të nderuar një histori, një sakrificë dhe një kontribut që nuk duhet të harrohet kurrë”, tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai theksoi se Kodra e Kërqevës ka pasur rëndësi të veçantë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shërbyer si një nga rrugët e furnizimit të luftëtarëve me ushqim, veshmbathje, barna dhe ndihma të tjera të nevojshme.
Kryetari Ahmeti vuri në pah gjithashtu se liria e fituar me gjak dhe sakrificë duhet të ruhet dhe të forcohet, ndërsa sakrifica e dëshmorëve obligon institucionet dhe shoqërinë të punojnë për një Kosovë me më shumë zhvillim, demokraci dhe integrim, duke ndërtuar një të ardhme që e meriton atë sakrificë.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe e përcjelljes së saj te brezat e rinj.
Lavdi dëshmorëve të kombit!