Në sheshin “Adem Jashari” sot u hap Panairi i Produkteve Ushqimore dhe Artizanale i organizuar nga Komuna e Lipjanit, i cili për herë të dytë gjatë këtij viti po sjell para qytetarëve dhe vizitorëve një larmi produktesh vendore dhe punimesh artizanale.
Panairi i cili do të jetë i hapur më 7 dhe 8 gusht, ka për qëllim promovimin e prodhuesve dhe artizanëve lokalë, si dhe prezantimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Mbajtja e këtij aktiviteti gjatë muajit gusht lidhet edhe me praninë e shumë bashkatdhetarëve në vendlindje, duke u ofruar atyre mundësinë të njihen më nga afër me produktet dhe punimet vendore.
Përmes këtij panairi Komuna e Lipjanit, po mbështet grupin e grave ndërmarrëse duke krijuar mundësi për prezantimin e produkteve të tyre dhe fuqizimin e rolit të tyre në zhvillimin ekonomik lokal.
