Komuna e Lipjanit ka filluar procesin e dëgjimeve buxhetore me qëllim të hartimit sa më gjithëpërfshirës të Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2027–2029.
Në hapje të dëgjimeve drejtori për Buxhet dhe Financa z. Latif Ramadani, prezantoi rëndësinë e këtij procesi dhe rolin e dëgjimeve publike në planifikimin e buxhetit komunal, duke theksuar se pjesëmarrja aktive e qytetarëve dhe akterëve të ndryshëm kontribuon në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore dhe investimeve për vitet e ardhshme.
Dëgjimet e para u mbajtën me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kuvendit Komunal, Komitetit për Politikë dhe Financa, Komitetit për Komunitete dhe komiteteve të tjera komunale, përfaqësueseve dhe shoqatave të grave, organizatave të shoqërisë civile, personave me aftësi të kufizuara, të rinjve dhe shoqatave rinore, klubeve sportive, si dhe kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe të Grackës së Vjetër.
Përmes këtij procesi synohet sigurimi i një planifikimi sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, duke krijuar mundësi që kërkesat dhe propozimet e qytetarëve të përfshihen në dokumentet strategjike financiare të komunës.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse, me qëllim të avancimit të zhvillimit të qëndrueshëm.