Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, sot ka pritur në takim nxënësit të cilët kanë arritur rezultate të shkëlqyera në garat ndërkombëtare “Kangaroo” në matematikë dhe “HIPPO” në gjuhën angleze, ku gjithsej 22 nxënës janë shpallur fitues.
Gjatë takimit Nënkryetari Bytyqi, i përgëzoi nxënësit për sukseset e arritura, duke vlerësuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre në gara ndërkombëtare.
“Është kënaqësi dhe krenari të kemi nxënës të tillë, pasi shpeshherë vetëm pjesëmarrja në këto gara konsiderohet sukses e lëre më rezultatet që keni arritur ju si fitues. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim sepse është në synimet tona të përkrahim sa më shumë të rinjtë që arrijnë suksese në gara të tilla. Ju do të jeni një brez i sukseseve dhe krenarisë së komunës sonë”, tha Nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Nxënësit morën pjesë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, e organizuar në Kosovë nga Instituti ATOMI me autorizim të Asociacionit “Kangourou Sans Frontières AKSF”, si dhe në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze “HIPPO – English Without Borders”, ku arritën rezultate të larta dhe siguruan pjesëmarrje në finalet kombëtare.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nxënësve të talentuar dhe në promovimin e suksesit në arsim dhe në gara ndërkombëtare.