Nënkryetari i Komunës së Lipjanit z. Diamant Bytyqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, me rastin e 27-vjetorit të rënies, ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqeta me lule pranë shtatores së dëshmorit të kombit, Haradin Bajrami, në Lipjan, në shenjë respekti për veprën dhe sakrificën e tij në çlirimin e vendit.
Me këtë rast nënkryetari Bytyqi, theksoi se përkujtimi i dëshmorëve duhet të shërbejë si përgjegjësi e vazhdueshme për shoqërinë, në mënyrë që vlerat për të cilat ata dhanë jetën të ruhen dhe të forcohen përmes veprimeve konkrete. Ai shtoi se sakrifica për liri kërkon jo vetëm kujtesë dhe reflektim, por edhe angazhim të vazhdueshëm në shërbim të vendit.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, u organizua edhe një program artistik me rastin e Ditës së Shkollës, e cila me krenari mban emrin e dëshmorit “Haradin Bajrami” në Magurë.
Gjithashtu u zhvilluan homazhe pranë pllakës përkujtimore të dëshmorit Haradin Bajrami në fshatin e lindjes, si dhe pranë varrit të martires Sahadete Dragaçina Bajrami, duke përkujtuar me respekt dhe mirënjohje jetën dhe sakrificën e tyre për Kosovën.
Lavdi dëshmorëve të kombit!