Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim drejtorin e ragbit në Kosovë, z. Mark Barrett, me të cilin ka diskutuar për organizimin e Kampionatit Evropian të ragbit 7.
Me këtë rast kryetari Ahmeti, theksoi gatishmërinë e komunës për të mbështetur këtë ngjarje të rëndësishme sportive, e cila do të organizohet në Stadiumin e Qytetit në Lipjan.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e plotë për organizimin e këtij kampionati. Investimet e bëra ndër vite në infrastrukturën sportive po japin rezultate konkrete dhe jemi të kënaqur që Lipjani do të jetë nikoqir i një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare si Kampionati Evropian i ragbit”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ndërsa drejtori i ragbit në Kosovë z. Mark Barrett, falënderoi kryetarin Ahmeti për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar se në këtë kampionat do të marrin pjesë 10 shtete të ndryshme. Ai shtoi se Stadiumi i Qytetit në Lipjan përmbush standardet e nevojshme për organizimin e Kampionatit Evropian të ragbit 7.
Në fund të takimit drejtori Barrett, i dhuroi kryetarit Ahmeti, një top ragbi në shenjë respekti dhe bashkëpunimi.