Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, z. Rasim Hasani, së bashku me shefin e kabinetit z. Avni Jashari, sot kanë pritur në takim nxënësit dhe përfaqësuesit e institucioneve arsimore nga Shkolla EMUC “8 Shtatori”, Shkup, të cilët po marrin pjesë në projektin ndërkombëtar “Voices for Peace – The Art of Living Together”, në kuadër të programit Supershkolla – RYCO.
Me këtë rast drejtori Hasani, përgëzoi nxënësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në këtë projekt, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut ndërkulturor në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme.
“Ky projekt përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet të rinjve dhe institucioneve arsimore në rajon. Angazhimi juaj në promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës është një vlerë e çmuar për shoqërinë tonë. Sa i përket Komunës së Lipjanit, ajo karakterizohet nga pasuri të shumta natyrore dhe një zhvillim i qëndrueshëm në fushën e arsimit”, tha drejtori, z. Rasim Hasani.
Në këtë aktivitet marrin pjesë nxënës nga Shkolla EMUC “8 Shtatori” nga Shkupi dhe IAAP “Adem Gllavica” nga Lipjani, të cilët kanë realizuar modulin e parë të projektit të fokusuar në ndërtimin e paqes në shoqëri multietnike dhe multikulturore. Gjatë këtij moduli janë trajtuar tema të rëndësishme si menaxhimi i konflikteve, dëgjimi aktiv dhe komunikimi jo i dhunshëm.