Sot në sallën e Bordit të Komunës së Lipjanit, është mbajtur takim pune ndërmjet Komisionit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore të Komunës së Lipjanit dhe përfaqësuesve të komisionit të nivelit qendror.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan në detaje lidhur me dëmet e shkaktuara në territorin e Komunës së Lipjanit, si pasojë e reshjeve të fundit, si dhe për procedurat ligjore dhe institucionale për adresimin dhe kompensimin e këtyre dëmeve.
U theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me qëllim që procesi i vlerësimit të dëmeve të jetë sa më i saktë, transparent dhe në shërbim të qytetarëve të prekur.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar dhe në koordinim me institucionet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbështetjen e qytetarëve dhe për përshpejtimin e procesit të vlerësimit të dëmeve në zonat e prekura.