Kuvendi i Komunës së Lipjanit, në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot, ka miratuar Buxhetin për periudhën 2026–2028, me 16 vota për dhe 15 vota kundër.
Mbledhja u zhvillua nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit, z. Daut Azemi, ndërsa në seancë ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, së bashku me përfaqësues të tjerë të ekzekutivit.
Gjatë seancës u prezantua propozim-vendimi mbi aprovimin e buxhetit nga Drejtori për Buxhet dhe Financa, z. Latif Ramadani, duke paraqitur planifikimin financiar të komunës për tri vitet e ardhshme. Pas diskutimeve nga anëtarët e Kuvendit, propozimi u hodh në votim dhe u miratua me shumicë të thjeshtë.
Kryetari i Komunës z. Imri Ahmeti, theksoi se buxheti është hartuar duke u bazuar në kapacitetet reale financiare të komunës, me fokus në prioritetet kryesore dhe në përmbushjen e nevojave më të rëndësishme të qytetarëve të Lipjanit.
Miratimi i Buxhetit për vitet 2026–2028 krijon bazën financiare për planifikimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore, ofrimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjeteve komunale në vitet në vijim.