Temë e diskutimit ishte promovimi i transparencës përmes projektit “Ekrani i Qytetarit”, i vendosur tashmë në objektin e Komunës së Lipjanit, si projekt i përbashkët ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Komunës së Lipjanit. Përmes këtij ekrani, qytetarët përveç informimit për aktivitetet e komunës dhe shërbimet e tjera komunale, mund të pajisen edhe me dokumente personale përmes platformës e-Kosova.
Kryetari Ahmeti ka shprehur mirënjohje për përfaqësueset e Këshillit të Evropës për angazhimin e përbashkët, me shpresën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Si institucion komunal, jemi të përkushtuar që ta avancojmë edhe më tej transparencën dhe llogaridhënien. Andaj edhe projekti i fundit i përbashkët me Këshillin e Evropës, ‘Ekrani i Qytetarit’, do të kontribuojë në rritjen e mëtejme të transparencës ndaj qytetarëve”, ka thënë Kryetari Ahmeti, duke u shprehur i gatshëm të angazhohet edhe në agjenda të tjera që rrisin pjesëmarrjen qytetare.
Nga ana tjetër, znj. Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ka përgëzuar Kryetarin Imri Ahmeti dhe ekipin e tij për implementimin e standardeve që rrisin transparencën. Ajo gjithashtu ka theksuar se bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit është i lehtë dhe shumë i mirë.
